Në minierën e Stantërgut inaugurohet solemnisht projekti i hidrombushjes
Në minierën e Stantërgut inaugurohet solemnisht projekti i hidrombushjes
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2010-02-10 13:26:17

Në minierën e Stantërgut sot u bë përurimi solemn i projektit të hidrombushjes. Ky projekt, ishte filluar vite më parë nga Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER), kompanisë sllovene Rudis dhe ndërmarrjes Trepça si zbatues të këtij projekti. Ky projekt, është projektuar që hiri nga termocentrali i Kastriotit të transportohet në minierën e Stantërgut dhe në formë hidraulike të bëjë mbushjen e hapësirave të shfrytëzuara të kësaj miniere.

Nga donacionet e AER-it janë realizuar këto pjesë të projektit:

  • Stacioni transportues-ngarkues i hirit (FlyAsh) në Kosovën B
  • Stacioni pranues-përgatitor i hirit dhe hidrombushjes në Stantërg
  • Kamionët special ( 3 kamion ), për bartjen e hirit nga Kosova B në Stantërg

Ndërkaq, për tu kompletuar i tërë projekti është dashur që të punohet dhe realizohet edhe projekti teknik i përgatitjes, shpërndarjes dhe palosjes së mbushjes hidraulike me hirin fluturues në minierën e Stantërgut. Kjo pjesë e projektit është kryer nga punëtorët, teknikët dhe inxhinierët e ndërmarrjes Trepça.

Me rastin e inaugurimit të këtij projekti, menaxheri i ndërmarrjes z. Ferat Shala, pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi donatorët, tha se ky projekt do të mundësoj shfrytëzimin më me efikasitet të xehes, do të krijoj stabilitet në minierë në aspektin gjeomekanik dhe do të zvogëloj koeficienti e varfërimit të xehes. Kjo është një metodë moderne, që zbatohet për herë të parë në minierat e Kosovës dhe do të rrisë efikasitetin e prodhimit tha në fund menaxheri i ndërmarrjes Trepça. Ndërkaq, ministrja e Energjisë dhe minierave, znj. Justina Pula-Shiroka, nga ana e saj, theksoi përkujdesjen e vazhdueshme të MEM-it, përkatësisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës për resurset minerale të vendit, që ato të jenë në funksion të zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, z Reno Honemont, veç tjerash tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë ndërmarrjen Trepça edhe në të ardhmen me projekte zhvillimore në funksion të rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrje. Unë shpresoj se Trepça, do të shndërrohet përsëri në një fuqi ekonomike për vendin tuaj, ashtu siç ka qenë në të kaluarën, tha në fund ai.

Ndërkaq, Beqir Maliqi, drejtor i kësaj miniere, në fjalën e tij tha: Okupatorët serb, më përpara e kanë shfrytëzuar pa kriter minierën dhe nuk e kanë mbushur me steril, prandaj ky stabiliment na mundëson që t'i mbushim këto hapësira dhe do t'i zgjatet jeta minierës.

Vlera e këtij projekti është rreth 1.700.000 euro.

Në minierën e Stantërgut inaugurohet solemnisht projekti i hidrombushjes
Postime të ngjajshme
Fillimi