Trepça kërkon kthimin e licencës në çukën e Drazhnjës
Trepça kërkon kthimin e licencës në çukën e Drazhnjës
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2010-05-15 15:04:34

Trepça ka nisur një betejë për kthimin e licencës në vendburimin minerar çuka e Drazhnjës, pasi Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dy vjet më parë i ka dhënë licencën për hulumtim një kompanie, si thuhet, përmes konfliktit të interesit - shkruan Koha Ditore. Dhënien e licencës përmes konfliktit të interesit e pohojnë ish menaxhmenti dhe menaxhmenti aktual i Trepçës, ndërsa zyrtar të KPMM-së thonë se nuk kanë informacione nëse ka ndonjë konflikt interesi.

Çuka e Drazhnjës gjendet afër liqenit të Batllavës, sipas fletës poseduese 298, zona kadastrale Herticë, me sipërfaqe prej 62 ha është pronë e Trepçës, minierës së Kishnicës, ndërsa që për këtë pronë KPMM-ja ka dhënë një licencë për hulumtim një kompanie në një zonë që më parë ka qenë e hulumtuar dhe janë ditur rezervat e xehes.

Halil Qela, këshilltar i menaxherit të Trepçës, Ferat Shala, pohon se Trepça prej vitit 1953 e deri në vitin 1990 ka kryer hulumtimet dhe verifikuar rezervat e xehes së plumbit dhe zinkut si dhe janë bërë provat teknologjike. "Është verifikuar se ka rezerva të xehes prej 4 milion e 700 mijë ton xehe si dhe ka ndodhur edhe një eksploatim eksperimental për të caktuar metodën e flotimit të xehes. Analizat kanë treguar se vendburimi është shumë i pasur me përbërje të plumbit 9 për qind, zinkut 12 për qind, dhe argjendit 250 gr/t" thotë Qela. Sipas tij, Trepça ka filluar edhe përgatitjet e minierës për eksploatim duke hapur dy nivele të horizonteve, rrugën si dhe oxhakun. Ai pohon se në vitet e 90 aty është ndërprerë çdo aktivitet sa i përket hulumtimeve dhe eksploatimit, ndërsa pas luftës kompleksi Trepça është ballafaquar me probleme duke mos u lejuar të funksionoj si tërësi, kur edhe vendoset nën administrimin e AKM-së. Qela thotë se edhe në këtë periudhë ka vazhduar shkatërrimi i minierave dhe kapaciteteve të metalurgjisë, ndërsa që UNMIK-u përmes shtyllës së IV formon edhe KPMM-në, duke e sjellë Trepçën në pozitë të pavolitshme përmes detyrimit të marrjes së licencave.

"Rregullat për licencim nga KPMM-ja kanë qenë të pafavorshme për Trepçën dhe Kosovën" nënvizon Qela. Ai konsideron se ka pas edhe konflikt të interesit nga ana e KPMM-së gjatë dhënies së licencës për hulumtim e Drazhnjës. Këtë mendim e ka edhe ish menaxheri i Trepçës, Nazmi Mikullovci, që ka udhëhequr këtë kompleks në kohën e dhënës së licencës për hulumtim kompanisë "Kosova Resource Company LLC". "Ka pas konflikt interesi në KPMM sepse kryeinspektori Alekasndër Valenta ka qenë edhe anëtar i bordit të KPMM-së, ndërsa kur është themeluar kompania Kosova Resource Company LLC, është bërë menaxher i saj" ka thënë Mikullovci.

Gjithashtu edhe këshilltari i menaxherit aktual të Trepçës, Halil Qela, e quan këtë rrethanë konflikt të interesit pasi që Valenta ka qenë pjesë e KPMM-së e pastaj edhe e kompanisë që i është dhënë licenca. "Është konflikt interesi sepse njerëzit që kanë punuar në KPMM kanë marrë licenca për veti" thotë Qela. Në anën tjetër, Naser Peci, zv. drejtor i KPMM-së thotë nuk mund të konfirmojmë që ka pasur ndonjë konflikt interesi. "Nuk kemi pasur informata në atë kohë nëse ka ndonjë konflikt interesi, as sot nuk mund të konfirmojmë që ka pasur ndonjë konflikt interesi" thotë Peci. Sidoqoftë ai pranon se Valenta ka qenë anëtar i bordit dhe më vonë është punësuar në kompaninë që ka marr licencën.

"Aleksander Valenta ka qenë anëtar i Bordit, pas skadimit të mandatit si anëtar i bordit është punësuar në atë kompani. Mirëpo ligji as në atë kohë dhe as sot nuk e ndalon një gjë të tillë, derisa ligji nuk e ndalon, neve nuk kemi mundur ta ndalojmë apo të marrim ndonjë masë" thotë Peci. Po ashtu dhënia e licencës për hulumtim që është bërë 2 vite më parë, interpretohet dhe shihet nga pikëvështrimet e ndryshme mes zyrtarëve. Zv.drejtori i KPMM-së, Naser Peci thotë se Trepça për zonën e Drazhnjes nuk ka parashtruar kërkese për licencë."Trepça ka aplikuar për pesë licenca në 5 zona të ndryshme, në: Stantërg, Artanë, Hajvali, Bellobrdo dhe Cërnac, që të pesë kërkesat i janë aprovuar nga bordi i atëhershëm, ndërsa për zonën e Drazhnjes nuk kanë parashtruar kërkesë për licencë" thotë Peci. Ai shton se Kompania që ka aplikuar i ka plotësuar kriteret e parapara me Rregulloren 2005/3, pastaj i është lëshuar licenca.

Ndërkaq ish menaxheri i Trepçës, Nazmi Mikullovci, thotë se nuk është aplikuar pasi kanë përfunduar hulumtimet dhe kanë qenë të njohura rezervat. "Nuk kemi aplikuar pasi kanë përfunduar hulumtimet dhe sipas ligjit të aplikueshëm edhe tani ne i kemi regjistruar rezervat në sektorin e atëhershëm të Ekonomisë ne vlerë rreth 5 milion ton xehe"; thotë Mikullovci. Ai thotë se hapësira ku janë bërë hulumtimet janë pronë e Trepçës. Në anën tjetër Peci i KPMM-së thotë se sipas ligjit, licenca për hulumtim mund të lëshohet edhe pa pëlqimin e pronarit të tokës, por shton se KPMM-ja në asnjë mënyrë nuk mund të lëshojë licencë shfrytëzimi ose leje për punë të veçanta pa lejen e pronarit që në rastin konkret është Trepça. Peci e jep edhe një të dhënë tjetër duke thënë se nga AKM-ja në atë kohë janë kërkuar informata nëse Trepça ka interes në atë zonë, mirëpo AKM nuk është përgjigjur asnjëherë. Ndërkaq Mikullovci thekson se është shumë indikative shpejtësia e dhënies së licencës. "Derisa për Trepçën dhënia e lejeve ka zgjat rreth 3 vite për rastin e Drazhnjës dhënia e lejes është bërë për kohë rekord të shkurtër dhe atë për 3 muaj", thotë Mikullovci. Ai thotë se në shtatorin e vitit 2008 kanë ushtruar padi në Gjykatën komunale të Prishtinës kundër Kosovo Resource Company LLC, për largim nga prona.

Lidhur me këtë çështje eksperti i Trepçës, Shyqyri Kelmendi, gjatë një debati për Trepçën ka pas një shpjegim interesant "Drazhnjen e kanë shit mangupat", ka thënë ai. Në anën tjetër këshilltari i menaxherit aktual, Qela, përpos rolit të KPMM-së e sheh si shumë indikativë "harresën" për të aplikuar edhe për Drazhjen nga ish menaxhmenti. Sidoqoftë menaxheri i Trepçës nën administrimin e APK-së, Ferat Shala, kohë më parë, ka dërguar një kërkesë KPMM-së për sqarimin e tërësishëm të situatës së krijuar pas dhënies së licencës kompanisë në fjalë. Aty përveç sqarime kërkohet të abrogohen të gjitha ato akte, veprime dhe procedura të ndërmarra nga ish bordi i KPMM-së, që siç thuhet, ishin të paligjshme dhe në kundërshtim edhe me vet rregulloren e UNMIK-ut 2005/48. Kjo kërkesë i është drejtuar dhe institucioneve si Kuvendit të Kosovës, MEM-it Gjykatës Supreme të Kosovës, etj.

Kryetari i Bordit të KPMM-së, Ahmet Tmava, thotë se e kanë pranuar kërkesën dhe shumë shpejt ajo do të shqyrtohet, për të dal me një qëndrim meritor. Si shqetësuese për Trepçën paraqitet edhe zërat se po bëhen përpjekje për shitjen e licencës që sipas tyre mund të komplikohet më shumë problemi. Në bazë të Rregullorës 2005/3 neni 9 licenca është e transferueshme thotë zv.drejtori i KPMM-së.

Izedin Krasniqi dhe Musa Mustafa
Marrur nga KOHA

Trepça kërkon kthimin e licencës në çukën e Drazhnjës
Postime të ngjajshme
Fillimi