Trepëa mëson nga përvoja e vendeve perëndimore
Trepëa mëson nga përvoja e vendeve perëndimore
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2010-09-15 10:58:43

Me ftesë zyrtare nga LMBV - Gjermani, menaxheri i përgjithshëm i Trepçës z. Ferat Shala ka marrë pjesë në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar për miniera dhe sanim mjedisor në Dresden të Gjermanisë. Në këtë kongres ndërkombëtar, pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të Qeverisë gjermane, përfaqësues të qeverive dhe institucioneve dhe agjencive publike që përkujdesen për mjedisin, për rregullimin e ambientit nga veprimtaritë minerare, veçanërisht rikultivimin e minierave sipërfaqësore të linjitit, nga shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet.

Në këtë kongres, pjesëmarrës ishin edhe shumë përfaqësues të qeverive, institucioneve dhe agjencive publike që përkujdesen për mjedisin nga shtete të ndryshme të rajonit dhe bota, si: Australia, Kanada, Kina, Rusia, Afrika e Jugut, Polonia, Sllovenia, Bullgaria, etj. Nga Republika e Kosovës, përveç delegacionit nga Trepça kanë qenë të pranishëm edhe ministrja e Energjisë dhe Minierave znj.Justina Shiroka-Pula, zv.ministri i MMPH, Idriz Vehapi dhe drejtori i Agjencisë për Mjedis, Ilir Morina.

Delegacioni i Kosovës u takua me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Sigurisë Nukleare, ku tema e takimit ishte përgatitja e një bashkëpunimi të rëndësishëm Gjermani-Kosovë për adaptimin e modelit gjerman për rregullimit e çështjeve mjedisore në sektorin e energjisë dhe minierave.

Gjermania ka qenë një nga vendet me prodhimin më të mëdha të linjitit gjatë njëzet viteve të fundit. Ajo ka hequr nga puna një numër të madh të termocentraleve te vjetra me linjit dhe ka mbyllë minierat përkatëse. Në këtë periudhë, janë rehabilituar rreth 30 miniera sipërfaqësore të linjitit, të cilat në të kaluarën kanë prodhuar rreth 300 milionë tonë/vit linjit për prodhimin e energjisë. Ky proces rehabilitimi ka kushtuar 8,6 miliardë euro.

Në sipërfaqet ku janë shfrytëzuar minierat sipërfaqësore të linjitit, janë krijuar liqene artificiale me sipërfaqe të mëdha dhe parqe të shumta për rekreacion dhe turizëm. Gjatë qëndrimit në Gjermani, delegacioni i Kosovës ka pasur një vizitë edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, me ç'rast u pritën nga zyrtarë të lartë të Ambasadës. Në këtë takim u shkëmbyen edhe ide për mënyrën e përkrahjes së ndërmarrjes Trepça, për tërheqjen e investitorëve nga Gjermania. Gjatë kthimit nga Gjermania, delegacioni i Trepçës është ndalur në Austri. Gjatë qëndrimit në këtë vend, ata kanë vizituar një minierë magneziti në Braeitenau. Po ashtu, kanë realizuar një takim me menaxhmentin e kompanisë DCM-Deco metal.

Gjatë vizitës në minierë, stafi i ndërmarrjes Trepça ka parë për së afërmi punën që bëhet në këtë minierë, ndërkaq, drejtuesit e minierës i kanë informuar mysafirët nga Kosova se: Miniera ka filluar punën në vitin 1954, ka të punësuar vetëm 40 vetë, punon me dy ndërrime dhe realizon 350.000 ton prodhim në vit. E gjithë puna në minierë është e mekanizuar me makineri të rëndë dhe shumë moderne. Metoda e shfrytëzimit është me shembje. Stafi i ndërmarrjes së Trepçës ka pasur rastin ta shoh një minierë moderne ne formë spiraleje në të cilën transporti i xehes behet me kamion te mëdhenj-damper 30 tonësh. Shpimi i vrimave për eksploziv bëhet me bomer në mënyrë automatike, ndërkaq që sistemi i komunikimit realizohet me radiolidhje për të gjithë punonjësit e minierës. Për ta siguruar minierën nga rreziqet e shembjeve, sipas drejtorit teknik të minierës, bëhen rreth 15000 ankerime në vit. Një tjetër element i rëndësishëm në këtë minierë është dhoma e emergjencës. Aty punëtorët mund të qëndrojnë në rast të ndonjë avarie deri në 48 orë, të furnizuar me ajër të mjaftueshëm, ujë e ushqime. Minerali i nxjerrë transportohet për në repartet e fabrikës së ngritur në afërsi të minierës dhe përpunohet deri në produkt final. Marrja e mostrave bëhet në mënyrë automatike dhe i gjithë procesi i përpunimit të mineralit kontrollohet në mënyrë kompjuterike. Sipas drejtuesve të minierës kjo kompani (RHI-GMBH), është e para në botë për prodhimin dhe përpunimin e magnezitit.

Gjatë qëndrimit në Austri, menaxheri i Trepçës dhe stafi që e shoqëronte atë kanë pasur një takim të frytshëm me drejtuesit e kompanisë DCM (Deco-metal). Ata janë pritur nga menaxheria e kësaj kompanie znj. Dr. Rohtraut Skatsche Depisch dhe stafi i saj i ngushtë. Gjatë takimit, znj. Depisch ka theksuar se kompania e saj është e interesuar që të bashkëpunoi me ndërmarrjen Trepça dhe të investoi në sektorin minerar në Kosovë.

Ndërkaq, menaxheri i Trepçës nga ana e tij, e ka informuar bashkëbiseduesen për punën që bëhet në këtë ndërmarrje, rezultatet, projektet që janë realizuar dhe ato të planifikuara dhe perspektivën e këtij sektori për të ardhmen. Ai po ashtu, i ka informuar drejtuesit e kësaj kompanie edhe për statusin aktual të Trepçës, për legjislacionin në fuqi dhe për mundësit e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë dhe për perspektiven e sektorit minerarë në Kosovë.

Trepëa mëson nga përvoja e vendeve perëndimore
Postime të ngjajshme
Fillimi