UNDP rehabiliton deponinë e sterilit në Artanë
UNDP rehabiliton deponinë e sterilit në Artanë
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2010-09-01 10:53:47

Në kuadrin e programit të UNDP-së për rehabilitimin e "pikave të nxehta mjedisore" në Kosovë, është rehabilituar deponia e sterilit në Artanë. Me këtë rastë, në Artanë është organizuar një ceremoni rasti për inaugurimin e këtij projekti, në të cilën morën pjese: Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit z. Mahir Yaggjillar me stafin e tij, përfaqësuesit e UNDP-së në krye me drejtorin e saj z. Parviz Fartash, përfaqsues të ambasadës së Mbretërisë Holandeze, të prirë nga z. Mr. Carel Brands, menaxheri i ndërmarrjes Trepça z. Ferat Shala me një grup të stafit të kësaj ndërmarrje etj.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës z. Mahir Yaggjillar duke iu drejtuar të pranishmëve të kësaj ceremonie theksoi: "Se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ministria që drejton ai është e përkushtuar për ruajtjen e mjedisit duke iniciuar dhe përkrahur projekte të tilla edhe në të ardhmen". Ai falënderoi donatorët dhe implementuesit e këtij projekti. Po ashtu, ai theksoi nevojën e një kujdesi të shtuar ndaj mjedisit, "sepse pasojat e ndotjes kanë një kosto të lartë financiare" theksoi mes tjerash ai.

Ndërkaq, në fjalimet e tyre z. Parviz Fartash, drejtor i UNDP-së për Kosovë dhe z. Mr. Carel Brands, përfaqësues i ambasadës së Mbretërisë së Holandës, theksuan nevojën e mbështetjes edhe më tej të Kosovës në fusha të ndryshme, e veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit.

Ky projekt, është financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Holandës, është implementuar nga UNDP. Kjo është pjesë e projektit për rregullimin e deponive të ndërmarrjes Trepça, që janë grumbulluar gjatë veprimtarisë minerare e industriale të kësaj ndërmarrje. Ky është projekti i tretë që realizohet nga këta organizma ndërkombëtar, për të zvogëluar shkallën e ndotjes nga mbetjet minerare e metalurgjike.

Stoku i sterilit ka qenë i deponuar përreth lumit të Marecit duke e ndotur atë përtej mase. Nga UNDP aty është ndërtuar një argjinaturë prej argjile në gjatësi prej 348 m, ndërkaq pjesa e sipërme është rrafshuar dhe mbuluar me një shtresë dheu e mbjellë me barë. Projekti ka filluar para tre vjetësh me një kosto financiare prej 1.700.000 euro.

UNDP rehabiliton deponinë e sterilit në Artanë
Postime të ngjajshme
Fillimi