Princi i Kentit viziton Trepçën
Princi i Kentit viziton Trepçën
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2010-10-04 09:25:47

Një delegacion i nivelit të lartë të biznesmenëve të Britanisë së Madhe, i prirë nga Princi Michael i Kentit, kanë vizituar ndërmarrjen Trepça. Në përbërje të këtij delegacioni, përveç biznesmen të shquar, ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Andy Sparkes, kryetari i Odës Ekonomike të Britanisë për Kosovë Ray Power etj.

Në minierën e Stantërgut ata u pritën nga menaxheri i ndërmarrjes Trepça z. Ferat Shala dhe stafi i tij i ngushtë. Po ashtu, për të nderuar delegacionin e lartë kishte ardhur enkas në Stantërg edhe ministrja e Energjisë dhe Minierave znj.Justina Shiroka-Pula. Fillimisht, menaxheri i Trepçës Ferat Shala para mysafirëve paraqiti një ekspoze të përgjithshëm për historikun, gjendjen e tanishme dhe vizionin për të ardhmen e ndërmarrjes Trepça, për të vazhduar më pas me vizitën në horizontin e 10-të të minierës. Në galeritë e minierës, mysafirët e lartë u njohën për punën që bëhet aty, kushtet në të cilat punojnë minatorët, vështirësitë që kanë, por edhe për sukseset në fushën e prodhimit të xehes.

Pas daljes nga galeria, Princi Michael i Kentit dhe menaxheri i Trepçës Ferat Shala, u prononcuan para mediave. Princi Michael, para gazetarëve tha: Se ka ardhur në Kosovë dhe këtu në Trepçë, për të parë mundësit e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, siç është sektori minerar, për të ndihmuar këtë sektor përmes investimesh, në formën e një partneriteti të përbashkët. Ai po ashtu, lavdëroi punën e minatorëve, stafit inxhiniero-teknik dhe menaxhimin e suksesshëm të kësaj ndërmarrje nga stafi udhëheqës. Ndërkaq, menaxheri i ndërmarrjes Trepça, z. Ferat Shala, në prononcimin e tij tha se: Kjo vizitë e këtij niveli të lartë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ndërmarrjen tonë, por edhe më gjerë, sepse mëtohet që të vihen bazat e një bashkëpunimi të përbashkët në fushën e ekonomisë me kompani shumë serioze të Britanisë së Madhe. Ai po ashtu, foli edhe për përpjekjet që po bënë menaxhmenti i ndërmarrjes së bashku me gjithë punonjësit e tjerë për ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrje, duke përmendur në këtë kontekst edhe punën e Task-Forcës, që është një grup i punës, që udhëhiqet nga zv.ministri i Energjisë dhe Minierave z. Blerim Rexha, në përbërje të të cilit janë edhe ekspertët e ndërmarrjes Trepça, ata të Ministrisë së Financave, AKP-së etj. dhe që ka për qëllim ta krijojë strategjinë dhe kahet e zhvillimit të sektorit minerar në përgjithësi, dhe atë të ndërmarrjes Trepça në veçanti.

Në fund, delegacioni britanez vizitoi edhe muzeun e kristaleve në Stantërg, ku për vlerat e eksponateve të këtij muzeu, u foli drejtoresha e muzeut znj. Vjollca Meha.

Princi i Kentit viziton Trepçën
Postime të ngjajshme
Fillimi