Kundërshtohet administrimi ndërkombëtar i Trepçës
Kundërshtohet administrimi ndërkombëtar i Trepçës
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2011-03-04 14:41:32

Përfaqësues të Odës Ekonomike e Kosovës (OEK), të menaxhmentit dhe sindikatës së “Trepçës”, kundërshtojnë vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme për vendosjen e një administratori ndërkombëtar për ndërmarrjen metalurgjike “Trepça”.

Ata thanë të premten në Prishtinë se zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve të UNMIK-ut për ndërmarrjen “Trepça” do të paraqes goditje të rëndë për gjithë Kosovën. Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar nga Kuvendi miratimin urgjent të ligjeve të reja. “Ju rekomandojmë institucioneve ligjvënëse që me urgjencë të fusin në agjendë miratimin e ligjeve themelore, Ligjin për Trepçën, i cili  do ta zëvendësonte rregulloren 2005/48 të UNMIK-ut, si dhe Ligjin që do të rregullonte statusin e mbi 4000 pensionistëve të parakohshëm të Trepçës”, tha Gërxhaliu.

Zyrtari i lartë i menaxhmentit të “Trepçës”, Bislim Muqa, tha se vendimi për emërimin e administratorit të ri për këtë ndërmarrje, është marrë me qëllim të  falimentimit të ndërmarrjes dhe pastaj privatizimin e saj, si dhe për shlyerjen e borxheve të supozuara ndaj kreditorëve të huaj. Muqa, gjithashtu, ka kërkuar nga qeveria që të planifikojë një buxhet shtesë për angazhimin e një kompanie juridike për “Trepçën”, që do t'i mbronte interesat e ndërmarrjes, duke i hedhur poshtë pretendimet e kreditorëve, dhe njëkohësisht, të kërkonte dëmshpërblim për dëmet që i ka shkaktuar "Trepçës" regjimi i Millosheviqit.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Trepçës Halil Qela, tha se në asnjë rast nuk do të realizohet vendimi për administrator të huaj në “Trepçë”. Në këtë ndërmarrje momentalisht punojnë rreth 1400 punëtorë. Vendimi i fundit për vendosjen e një administratori ndërkombëtar, vlerësohet si i qëllimshëm për shkatërrimin e kësaj ndërmarrje.

Burimi i lajmit
Kundërshtohet administrimi ndërkombëtar i Trepçës
Postime të ngjajshme
Fillimi