Të zgjedhurit e popullit vizitojnë Trepçën
Të zgjedhurit e popullit vizitojnë Trepçën
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2011-06-09 11:38:42

Një grup deputetësh të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari i këtij komisioni z. Zenun Pajaziti, vizituan ndërmarrjen Trepça. ë përbërje të këtij grupi deputetësh që vizituan Trepçën ishin: Zenun Pajaziti, Sala Berisha-Shala, Bekim Haxhiu (PDK); Sadri Ferati, Lutfi Zharku, Hashim Deshishku (LDK); Visar Ymeri (VV); Biserka Kostiq (SLS) dhe Fikrim Damka (6+).

Ata u priten dhe u shoqëruan gjatë gjithë kohës së vizitës nga menaxheri i ndërmarrjes Trepça, z. Ferat Shala. Deputetët vizituan Parkun Industrial të ndërmarrjes, pastaj ambientet përreth minierës së Stantërgut, Muzeun e Kristaleve, flotacionin ( fabrikën e pasurimit) në Tunel të Parë etj.

Menaxheri i Trepçës z. Shala, para mysafirëve bëri një prezantim të gjendjes së përgjithshme të kësaj ndërmarrje. Ai foli për vështirësitë me të cilat po përballet kjo ndërmarrje si pasojë e mungesës së bazës ligjore që do ta rregullonte edhe statusin e Trepçës. Mes tjerash, ai përmendi moratoriumin e vendosur nga UNMIK-u si një pengesë shumë serioze për zhvillimin normal të ndërmarrjes, moshën e vjetruar të punëtorëve, problemet mjedisore etj. "Por, përkundër këtyre vështirësive, Trepça në këto 2-3 vjetët e fundit ka arritur edhe suksese të konsiderueshme", tha mes tjerash menaxheri Shala. "Vitin 2010, për herë të pas luftës, e kemi përmbyllur me bilanc pozitiv", vazhdoi më tej ai. "Për efekt të një angazhimi të të gjithë punonjësve të Trepçës, nëpër të gjitha njësitë e ndërmarrjes, kemi arritur që të hyrat vetjake të ndërmarrjes për viti 2010 të jenë për 65.68 % më të larta, krahasuar me një vit më parë" ka saktësuar ai. Në fund, menaxheri i ndërmarrjes Trepça, kërkoi nga deputetët e Kuvendit të republikës së Kosovës që të fokusohen dhe të përshpejtojnë miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Trepçën.

Ndërkaq, z. Zenun Pajaziti, në emër të grupit parlamentar që kryeson ai, u zotua se do të përpiqet së bashku me kolegët e tij deputet, që Ligji për Trepçën dhe ligjet tjera që rregullojnë çështjet sociale të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, t'i kalojnë sa më parë procedurat parlamentare dhe të miratohen, për t'i hapur rrugë rimëkëmbjes së Trepçës.

Të zgjedhurit e popullit vizitojnë Trepçën
Postime të ngjajshme
Fillimi