Në Trepçë rriten pagat
Në Trepçë rriten pagat
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2011-07-08 11:45:13

Të gjithë punëtorët e ndërmarrjes Trepça, nga muaji qershor do ti marrin pagat me rritje prej 8%. Kjo rritje, është bërë e mundur në saje të angazhimit të mirëfilltë të të gjithë punonjësve të ndërmarrjes Trepça. Kjo ka rezultuar me rritje të vazhdueshme prodhimi, në të gjitha njësitë e ndërmarrjes, e rrjedhimisht me rritjen e të hyrave vetjake të ndërmarrjes.

Ndërmarrja Trepça, këto dy-tre vite të fundit është këndellur dhe po rimëkëmbet gradualisht. Po ashtu, është forcuar disiplina në punë, janë përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve, si: ushqimi, transporti, mjetet mbrojtëse në punë etj. Të gjitha këto kanë ndodhur si rezultat i një angazhimi të mirëfilltë të të gjithë punonjësve të ndërmarrjes Trepça dhe të menaxhimit me kompetencë e profesionalizëm të ndërmarrjes, nga drejtuesit e saj. Në një hark kohor prej pak më shumë se dy vjet, kjo është hera e dytë që Trepça rritë pagat për punëtorët e vet. Në maj të vitit 2009, pagat e minatorëve të Stantërgut u patën rritur për 50 %, ndërkaq, në nivel të ndërmarrjes janë ngritur 37 %.

Ditë më parë, ndërmarrja Trepça ka pranuar punëtor të rinj për miniera, të cilët fillimisht do ti trajnoj, prandaj rritja e pagave të punëtorëve është edhe një tregues i fuqishëm, se në këtë ndërmarrje ka një trend shumë pozitiv të ecjes përpara të këtij gjiganti industrial. Kjo rritje prej 8 %, do të shpërndahet nëpër çdo njësi të ndërmarrjes Trepça dhe me këtë rast do të bëhen disa korrigjime të diferencave në pagat e punëtorëve.

Me rritjen e fundit, bruto-paga mesatare në ndërmarrjen Trepça është 463 euro.

Në Trepçë rriten pagat
Postime të ngjajshme
Fillimi