Trepça freskohet me minatorë të rinj
Trepça freskohet me minatorë të rinj
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2011-07-07 11:43:22

Kandidatët që po trajnohen për minatorë në Trepçë, sot hynë në horizontet e minierës së Stntërgut. Veshur me rroba minatorësh, të 75 kandidatët që po trajnohen tash sa ditë për punë në minierë, sot patën rastin e parë të njihen për së afërmi me galeritë e minierës së Trepçës.

Para hyrjes së galerisë, atyre iu drejtua me një fjalë rasti, menaxheri i kësaj ndërmarrjeje z. Ferat Shala. "Ju jeni gjeneratë me fat që po përtërini ndërmarrjen Trepça, sepse, gjithë brezave të minatorëve që punuan në këto miniera, iu ra barra e rëndë që të luftojnë në disa fronte: në frontin politik, ekonomik-social dhe atë prodhues. Ndërkaq, juve u mbetet të luftoni vetëm në frontin ekonomik, pra të punës dhe prodhimit". Në vazhdim, menaxheri i Trepçës, kërkoi nga minatorët e rinj që të marrin sa më shumë përvojë nga minatorët e vjetër dhe stafi inxhiniero-teknik i minierës, të cilët kanë grumbulluar një përvojë të madhe për një jetë të tërë pune në minierë.

Pas kësaj ceremonie të shkurtër rasti, të gjithë kandidatët që po trajnohen, të prirë nga menaxheri Shala dhe stafi drejtues i kësaj miniere, u lëshuan në horizontet e minierës, për tu njohur ata me punët që do ti kryejnë, kushtet e minierës, metodat e shfrytëzimit, teknologjinë që përdoret aty, etj.

Kjo gjeneratë e re minatorësh që po përgatitet, nga menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça shihet si një shtysë e fuqishme për rritjen e prodhimit të xehes dhe ripërtëritjes së përgjithshme të ndërmarrjes. Duhet theksuar, se mosha mesatare e minatorëve të Trepçës, aktualisht është 55 vjeç, ndërkaq, që pas 23 vjetësh, për herë të parë po bëhet ripërtëritja e minierave të Trepçës me minatorë të rinj.

Trepça freskohet me minatorë të rinj
Postime të ngjajshme
Fillimi