U përurua fusha më e vjetër e tenisit në Kosovë
U përurua fusha më e vjetër e tenisit në Kosovë
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2011-10-26 13:35:21

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe menaxheri i "Trepçës", Ferat Shala, përuruan të hënën rinovimin e fushës sportive "Tenisi" në Stan Tërg. Kjo fushë e cila ofron kushte për lojë tenisi, futboll të vogël dhe basketboll, ishte përdorur si fushë tenisi në vitet 30 të shekullit të kaluar nga anglezët që menaxhonin minierën "Trepça". Si e tillë ajo paraqet fushën më të vjetër të tenisit në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.

Kryetari Kastrati, duke shprehur kënaqësinë për këtë projekt, tha se ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj zone rurale dhe punëtorët e "Trepçës". Ai tha se bashkëpunimi me "Trepçën", duhet të vazhdojë edhe më rifunksionalizimin e pishinës, e cila gjendet aty afër.

Ndërsa menaxheri i ndërmarrjes "Trepça", Ferat Shala, premtoi bashkëpunim edhe për projektet tjera që kanë synim krijimin e kushteve për banorët dhe sportistët. "Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunën për realizimin e projekteve në të mirë të banorëve".

Ndërsa në emër të banorëve u falënderua, Skender Idrizi, që rikujtoi kohën kur aty zhvilloheshin gara në tenis dhe sportet tjera. Ai ngriti edhe nevojën e ngritjes së objekteve sportive për të krijuar kushte për të aktivitetet e të rinjve.

Ndryshe fusha "Tenisi" është realizuar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe ndërmarrjes "Trepça", pas nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Mitrovicës dhe Departamentit për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Mjedisit të ndërmarrjes "Trepça". Drejtori i kësaj drejtorisë, Bislim Imeri, tha se është fjala për rregullimin e fushës sportive "Tenisi" në Stan Tërg, mandej rregullimin e rrugës malore drejt kësaj fushe e cila poashtu ka përfunduar si dhe ngritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol, e cila është para përfundimit.

Ai sqaroi se për këto projekte drejtoria ka ndarë 44 mijë euro, përderisa "Trepça" ka participuar me një shumë simbolike."Qëllimi i këtij memorandumi është mbështetja e komunitetit në vendet rurale si dhe punëtorët e "Trepçës".

Në anën tjetër, këto projekte i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe Ali Ahmeti, drejtor i Departamentit për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Mjedisit të ndërmarrjes "Trepça". Ai tha se "Trepça" ka marrë përsipër që fushën e sportit ta ofroj për shfrytëzim për banorët që jetojnë aty falas.

U përurua fusha më e vjetër e tenisit në Kosovë
Postime të ngjajshme
Fillimi