Përfundon Java e Minatorëve
Përfundon Java e Minatorëve
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2012-02-29 12:46:53

 

Manifestimi tradicional Java e Minatorëve, përfundoi me një tubim të mbajtur në Kishnicë, në përkujtim të grevës së minatorëve të vitit 1989. Në tubimin e organizuar nga Departamenti i Minierave Kishnicë-Artanë, u fol për rëndësinë që pati greva e minatorëve të Trepçës, në lëvizjen politike të kohës, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave politike të shqiptarëve të Kosovës.

Drejtori i këtij departamenti, Rizah Vrajolli, foli për të arriturat e këtij departamenti në këto vitet e fundit. Ai po ashtu, foli edhe për planifikimin e sivjetmë të prodhimit dhe punëve që do të kryhen në këto miniera. Ndërkaq, menaxheri i ndërmarrjes së Trepçës z. Ferat Shala, pasi përshëndeti të pranishmit, foli  për gjendjen aktuale dhe perspektivën e kësaj ndërmarrjeje. “Puna jonë e përbashkët dhe të arriturat tona, i ka demantuar të gjithë skeptikët, që Trepçën e quajtën dinozaur. Trepça sot paraqet një potencial të madh zhvillimor për të ardhmen ekonomike të vendit” tha mes tjerash menaxheri Shala.

Gjatë gjithë Javës së Minatorëve, u mbajtën shumë veprimtari kulturore, sportive e përkujtimore, për nderë të grevës së lavdishme të minatorëve të Trepçës. Po ashtu, Javën e Minatorëve e kanë begatuar edhe  dy konferenca shkencore, njëra në Mitrovicë e tjetra në Prishtinë, që u mbajtën në vigjilje të këtij përvjetori.

Në Mitrovicë u mbajt konferenca shkencore me temën Trepça ndër Shekuj, ndërkaq në Prishtinë, ajo me temën: Resurset minerale-bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, organizuar nga Kolegji Universitar i Menaxhmentit Internacional dhe Instituti për Hulumtime Ekonomike Globus.   

Përfundon Java e Minatorëve
Postime të ngjajshme
Fillimi