Trepça pas çlirimit të Kosovës
Trepça pas çlirimit të Kosovës
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2012-02-21 23:20:51

Pas çlirimit të vendit, hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe instalimit të UNMIK-ut, si pushtet ekzekutiv, menaxhimin e ekonomisë e merr përsipër shtylla e IV-ët. Ky dikaster, nuk kishte politika të qarta operacionale.  Ishte instaluar në Kosovë pa ndonjë strategji zhvillimore, për një vend të dalë nga lufta shkatërrimtare, siç ishte vendi ynë në vitin 1999 dhe pa planifikim për investime. Thënë shkurt, në ekonominë e vendit ishte ndjekur një politikë përgjithësisht pasive, ku roli i faktorit vendor, ishte pothuajse i pandjeshëm.

Ashtu si gjithë ekonomia e vendit edhe sektori minerarë, e veçanërisht ndërmarrja Trepça, kishin pësuar dëme të mëdha nga lufta. Në fakt, rrënimi i ekonomisë së Kosovës, kishte filluar qysh me suprimimin e autonomisë së sajë dhe futjes së masave të dhunshme në të gjitha ndërmarrjet e vendit në fillim të viteve ’90. Në atë kohë, vetëm nga Trepça u larguan mbi 13000 punonjës. Shumë asete të ndërmarrjes u plaçkitën dhe u tjetërsuan. Trupat xeherorë u shfrytëzuan në mënyrë të egër e selektive, pa përfillur asnjë kriter shkencor. Mbi 500.000 mhapësira u lanë të pa mbushura, duke shkelur çdo normë të shfrytëzimit minerarë. Po ashtu, pushteti okupues serb, në kurriz të Trepçës kishte bërë shumë transaksione të dyshimta me kompani serbe, greke, qipriote, bullgare etj. duke i lënë ndërmarrjes një faturë të lartë borxhesh, nga gjoja kreditorë të këtyre vendeve.

Pozita e Trepçës në vitin 1999, ishte shumë e rëndë. Trepça u bë problem politik, për shkak të ndarjes së qytetit të Mitrovicës, ajo vuante edhe fatin e ndarjes së qytetit, sepse një pjesë e mirë e aseteve të sajë, ndodhen në pjesën veriore të vendit. Po ashtu, u bë problem i rëndë social, sepse mijëra punëtorë të përzënë dhunshëm nga puna, nuk mund të ktheheshin në vendet e tyre të punës, për shkak të dëmeve që i kishin shkaktuar ndërmarrjes okupuesit serb. Teknologjia, pajisjet, stabilimentet, ishin ose të shkatërruara, ose të amortizuara në atë masë, sa të mos e kryenin funksionin e tyre. Trepça u dëmtua shumë edhe nga humbja e tregut dhe partnerëve serioz afarist.

E plaçkitur nga Serbia dhe e keqmenaxhuar nga struktura të UNMIK-ut, me miniera të zhytura në ujë, Trepça pas lufte po kalonte ditët më të vështira, që nga ekzistenca e saj.

Si të mos mjaftonte kjo, në rrethana të pasqaruara, në vitin 2000, do të ndodhë djegia e Elektrolizës së Zinkut. Sipas ekspertëve të Trepçës, llogaritet se dëmi i shkaktuar i kalon 30 milion euro. Me metalurgjinë e plumbit të mbetur në veri, me elektrolizën e zinkut të djegur në jug, praktikisht, e gjithë industria përpunuese kishte rënë në kolaps.

Në vitin 2005, me vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Trepça është futur në moratorium, për ta mbrojtur nga të ashtuquajtur kreditorë. Ky ka qenë një vendim i gabuar, sepse në fakt, nuk është dashur të njihen fare këta pretendent, sepse, kanë lidhur kontrata, që në fakt janë shumë të dyshimta, me një shtet represiv, i vënë nën embargo nga OKB-ja, për lëndë strategjike.

Megjithatë, meqë të ashtuquajturit kreditorë, janë pranuar si të tillë, moratoriumi në një farë mënyre e ka mbrojtur Trepçën nga pretendentët.

Deri në vitin 2005, vetëm një numër simbolikë i punëtorëve të Trepçës janë kthyer në punë. Ata kryesisht kanë punuar në mirëmbajtje të objekteve minerare dhe sigurinë fizike të saj. Ndërkaq, mbi 4500 punëtorë të saj, në bazë të një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale u dërguan në asistencë. Në këtë vit, nga KPMM u mor një licencë për punë provuese në minierën e Stantërgut. Eksploatimi i xehes dhe pasurimi i sajë në flotacione, filloi në gusht të vitit 2005. Deri në fund të vitit 2008, prodhimi vazhdoi me një rritje me ritme të ngadalta, por ndërmarrja punonte me humbje edhe pse subvencionohej nga shteti. Po në këtë vit, Trepça do të hyj në administrim të AKP-së.

Që nga fillimi i vitit 2009, në ndërmarrjen Trepça do të filloj një frymë mobilizuese në ndërmarrje. Në këtë vit filloi një ristrukturimin i brendshëm, me lëvizjen e kuadrove, forcimin e disiplinës në punë, kursimeve të shumta etj. Si rezultat i gjithë këtij angazhimi nga gjithë punonjësit e ndërmarrjes, prodhimi i xehes u rrit 27 %, krahasuar me një vit më parë. Ndërkaq, që edhe rrogat e punëtorëve në nivel ndërmarrje u rritën për 37 %.

Po këtë vit, u modernizua administrata e ndërmarrjes, duke u bërë dixhitalizimi i sajë. Po ashtu, ndërmarrja Trepça, e ka përmirësuar shumë edhe marketingun e saj, duke hapur edhe një ueb-faqe, ku pasqyrohet veprimtaria ekonomike e ndërmarrjes.

Edhe pse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kriza globale financiare arriti pikën më të lartë, ku për pasojë, çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare pësuan rënie drastike, ndërmarrja e mbylli vitin në kufijtë e rentabilitetit.

Ecuritë pozitive në Trepçë vazhduan edhe gjatë vitit 2010. Prodhimi i xehes u rritë edhe këtë vit për 25% dhe çmimet e metaleve në bursa u stabilizuan. Gjatë këtij viti u realizuan disa projekte të rëndësishme, ku duhet veçuar projektin e  hidrombushjes, i cili u financua nga Komisioni Evropian dhe u zbatua nga punëtorët, teknikët dhe inxhinierët e Trepçës. Ky sistem i mbushjes së hapësirave të zbrazëta të minierës, duke përdorur hirin e freskët të termocentraleve tona, është një nga sistemet më modern e me përparësi të shumta.  Në bashkëpunim me UNDP-në u realizuan edhe disa projekte nga fusha e mjedisit, në deponitë e mbetjeve të sterileve industriale në Artanë.

Viti 2010, do të mbahet mend, si viti i parë pas lufte, ku ndërmarrja Trepça e mbyllë me afarizëm pozitiv.

Viti 2011 do të filloj me një vendim të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme për vendosjen e një administratori ndërkombëtarë në Trepçë. Ky vendim, i cili u kundërshtua fuqishëm nga të gjithë punonjësit e Trepçës, por edhe nga AKP-ja, kishte për qëllim që t’i paguante kreditorët dhe likuidonte ndërmarrjen. Këtë ia mundësonte rregullorja e UNMIK-ut 2005/48, e cila ishte ende në fuqi. Për fat të mirë, ky vendim nuk u zbatua dhe rregullorja e UNMIK-ut u shfuqizua me miratimin e Ligjit për Transformim e Ndërmarrjeve, nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë akt juridik, Trepça u vu në administrim të AKP-së. Përveç këtij ligji, kuadri ligjor u plotësua edhe me miratimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Miniera dhe Minerale. Mendojmë se do të ishte e nevojshme të miratohet Ligji për Invaliditet dhe Pensionim të Parakohshëm, në mënyrë që ndërmarrja të lirohet nga kategoritë e paafta për punë.

Vitin që shkoi, ndërmarrja Trepça  e ka përmbyllur me të arritura në gjithë sektorët e punës dhe të prodhimit. Nga minierat e Trepçës, gjatë vitit 2011, janë prodhuar 165.000 tonë xehe. Krahasuar me vitin e kaluar, i bie që prodhimi është rritur për 20% më shumë. Po kështu, janë eksportuar 10.000 tonë koncentrat plumbi dhe zinku dhe rreth 180.000 tonë mbetje industriale. Nga shitja e këtyre produkteve, janë realizuar rreth 16 milion euro të hyra.

Investimet kapitale janë realizuar 96%, ndërkaq subvencionet janë realizuar në masën 100%.

Nga kalkulimet paraprake të Shërbimit të Financave të kësaj ndërmarrje, vitin që shkoi, ndërmarrja Trepça e ka përmbyllur me afarizëm pozitiv. Ndërkaq, raporti përfundimtar i afarizmit të ndërmarrjes, përgatitet pas mbylljes së vitit fiskal dhe do të bëhet publik.

 Gjatë vitit 2011, janë pranuar 258 punëtorë të rinj në Trepçë, prej këtij numri, 200 veta janë pranuar për punë në miniera, të cilët paraprakisht janë përgatitur në kurse trajnimi. Ndërkaq, kandidatët tjerë janë sistemuar kryesisht në sigurinë fizike dhe njësitë tjera të ndërmarrjes.

Janë kryer edhe shumë punë përgatitore në miniera, ku janë të gatshme shumë punishte për shfrytëzim. Po ashtu, është investuar në teknologji dhe pajisje të reja për miniera, të cilat do ta rrisin efektivitetin e nxjerrjes së xehes.

Gjatë vitit që lamë pas, pagat e punonjësve të Trepçës, janë ngritur për 8%, ndërkaq, që nga janari i këtij viti, është bërë një ngritje tjetër prej 5 %.

Aktualisht, në ndërmarrje kemi të punësuar 1510 punëtorë.

Gjatë  vitit të kaluar, ndërmarrja Trepça  ka fituar dy çmime në nivel vendi për rezultatet e arritura, atë: “Eksportuesi i Vitit 2011” për korporatat, të cilën ia ndau Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK), në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të Eksportit (SHKE) dhe nga UNDP ka marrë çmimin kryesor për zbutjen e varfërisë në Kosovë.

Për këtë vit,  ndërmarrja Trepça ka hartuar projekte kapitale, të cilat do t’i realizoj nga të hyrat vetjake. Vlera e projekteve kapitale të planifikuara për këtë vit, kapë shifrën 10 mil.euro.

Në Kishnicë,  fabrika e pasurimit të mineraleve do të pajiset komplet me teknologji të re, tenderi tashmë është mbyllur dhe në ditët e ardhshme pritet që të shqyrtohen ofertat nga ekipi profesional i ndërmarrjes. Ndërkaq, pas realizimit të këtij projekti, një i ngjashëm parashikohet të bëhet edhe në Tunelin e Parë. Me kompaninë e njohur suedeze Atlas-Copco, janë kontraktuar makineri për minierën e Stantërgut në vlerë prej 700.000 euro, të cilat do të ndikojnë në rritjen e prodhimit të xehes. Këto makineri të reja, do të fillojnë të liferohen që nga muaji i ardhshëm nga kontraktori.

Po ashtu, shumë projekte janë paraparë edhe në fushën e mjedisit, për pakësimin e nivelit të ndotjes nga mbetjet e grumbulluara industriale, gjatë dhjetëvjeçarëve të punës së kompleksit Trepça.

Një projekt tjetër i rëndësishëm, pritet të inaugurohet shumë shpejt në Stantërg. Është fjala për muzeun e ri kristaleve të Trepçës. Ky është një objekt modern, i ndërtuar sipas standardeve të larta bashkëkohore, që është në harmoni të plotë me bukuritë e kristaleve që do të vendosen aty dhe që do të ruhen si eksponate muzeale me vlera të mëdha. Muzeu është ndërtuar me donacione të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Trepça paraqet një potencial të madh për zhvillimin e sektorit minerarë dhe industrisë përpunuese të metaleve në vendin tonë. Këtë konkluzion, e bazojmë në rezervat e mëdha minerale që i ka, infrastrukturën dhe objektet, traditën dhe përvojën e xehetarëve, teknikëve dhe ekspertët e të gjitha fushave. Prandaj, mendojmë se roli i shtetit në ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes, do duhej të ishte thelbësor. E themi këtë, sepse shteti i Kosovës, që nga viti 1999 e deri më tash, në Trepçë ka investuar rreth 100 milion euro. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës, si pronare legjitime e të gjitha resurseve minerale të vendit, mendojmë se do të duhej të jetë edhe aksionari kryesorë i Trepçës, duke i ruajtur asetet thelbësore për vete. Ndërkaq, që një partneritet me sektorin privat, qoftë vendor apo ndërkombëtarë, është i nevojshëm,për zhvillimin më të hovshëm të ndërmarrjes. Kompanitë e ndryshme private, duke investuar kapitalin e tyre të freskët në sektorë të ndryshëm të ndërmarrjes Trepça, do të hynin në partneritet afatgjatë me shtetin. Me këtë rast, do të hapeshin vende të shumta pune, duke i dhënë impulse të reja zhvillimit të sektorit minerarë dhe industrisë përpunuese të metaleve në Kosovë.  

Trepça pas çlirimit të Kosovës
Postime të ngjajshme
Fillimi