U inaugurua Muzeu i Kristaleve të Kosovës Trepça
U inaugurua Muzeu i Kristaleve të Kosovës Trepça
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2012-06-25 21:35:13

Në  një ceremoni solemne, në Stantërg u përurua Muzeu i Kristaleve të Kosovës “Trepça”.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zyrtarë komunalë të Mitrovicës, drejtues të ndërmarrjes Trepça e punonjës të saj dhe qytetarë të komunës së Mitrovicës.

Ky projekt, u realizua me fonde të Qeverisë së Republikës së Kosovë, përkatësisht, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe ndërmarrjes Trepça.

Në fillim të fjalës së tij, menaxheri i ndërmarrjes Trepça, z. Ferat Shala, para të pranishmeve tha: “Ideja e ndërtimit të këtij muzeu modern, ka lindur si domosdoshmëri për ruajtjen dhe promovimin e pasurive tona nëntokësore, që shfaqen në formën më të bukur natyrale, përmes kristaleve të Trepçës”. “Vlera e investimit për ndërtimin e këtij muzeu është 560 mijë euro dhe janë ekspozuar afro 1,500 eksponate të kristaleve dhe mineraleve të zgjedhura” tha në vazhdim z. Shala dhe vijoi: “muzeu i vjetër po mbushte gati gjysmë shekulli qëkur ishte ndërtuar dhe ishte në prag të rrënimit. Aty  rrezikoheshin së dëmtuari kristalet e Trepçës me vlera të padiskutueshme muzeale. Muzeu që po përurohet do të jetë në shërbim të kulturës industriale, të universiteteve, shkencës dhe do t’iu  krijojë mundësi brezave që vinë për tu njohur me pasuritë minerale të shtetit të tyre’’ theksoi në vazhdim menaxheri i Trepça.

Ai po ashtu, foli edhe për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet ndërmarrja  me mbi 1500 të punësuar. Z. Shala numëroi njësitë aktive të Trepçës, siç janë: miniera e Stantërgut dhe Artanës me fabrikat e tyre të pasurimit, pastaj përmendi Fabrikën e Pajimeve të Procesit dhe repartin e Industrisë Kimike për prodhimin e sulfatit të aluminit.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj,në fjalën e tij mes tjerash tha:  “ky muze, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, në nivelin nacional e rajonal dhe shpresojmë që ky institucion do të jetë urë lidhëse e shkencës, ekonomisë, historisë dhe kulturës së shtetit tonë të ri”, për të vazhduar më tej, “se pikërisht  gjendja e ndërtesës së muzeut, ka qenë shkas i vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Trepçës, për ndërtimin e objekti të ri të këtij muzeu me interes strategjik”. Në fund të fjalës së tij, ministri Beqaj vlerësoi se “objekti i ri i muzeut është modern, me të gjithë parametrat kulturorë dhe turistikë dhe i njëjti është ndërtuar sipas standardeve më bashkëkohore”.

Në fund, foli edhe zëvendësministri i  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Ilir Mirena, premtoi mbështetje institucionale për projekte të tilla: “Çdo projekt që është në interes të shtetit, do të ketë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse ne jo vetëm që duhet të krenohemi me pasuritë natyrore, por duhet t’i ruajmë dhe para së gjithash, duhet të punojmë për një të nesërme më të mirë”, tha ndër të tjera z. Mirena.

U inaugurua Muzeu i Kristaleve të Kosovës Trepça
Postime të ngjajshme
Fillimi