Deklaratë për media
Deklaratë për media
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2012-07-13 11:21:37

Përmes kësaj deklarate, njoftoj gjithë opinionin publik, se jap dorëheqje nga detyra e menaxherit të përgjithshëm së ndërmarrjes Trepça. Ndërkaq, do ta respektoj afatin ligjor prej 30 ditësh të qëndrimit në detyrë, në mënyrë që AKP të ketë kohë ta zgjedhë menaxherin e ri.

Arsyet e dorëheqjes sime, janë  angazhimet që më presin në punët akademike.

Mendoj se gjatë qëndrimit tim në krye të Trepçës, në këta tre vjet e gjysmë, jam përpjekur me gjitha fuqitë e mia, që të bëjë më të mirën për këtë ndërmarrje.

Me këtë rast, dua t’i falënderoj përzemërsisht, në radhë të parë minatorët e Trepçës, teknikët, inxhinierët,  punonjësit e administratës dhe gjithë punëtorët tjerë, për kontributin e tyre në rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrjeje.

Me përpjekjet tona të përbashkëta, ne sfiduam vështirësitë e shumta dhe arritëm që për këtë periudhë relativisht të shkurtër, ndërmarrjen Trepça ta vendosim mbi baza të qëndrueshme zhvillimi. 

Realizuam investime të konsiderueshme në projekte të rëndësishme zhvillimore. Pranuam minatorë të rinj, duke freskuar brezin e vjetër të minatorëve. Gati dyfishuam prodhimin dhe në këtë përpjesëtim, u rritën edhe pagat. U përmirësuan kushtet e punës për gjithë punonjësit e Trepçës

Me punën tonë të përbashkët, arritëm që Trepça, nga viti 2010 e këndej, të punoj pa humbje, pra, me bilanc afarist pozitiv.

Natyrisht, për të arritur deri këtu, nuk ka munguar as mbështetja e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, prandaj, i falënderoj sinqerisht për kontributin e tyre. Po ashtu, falënderoj edhe partnerët afarist të Trepçës, qofshin të vendit a të huaj, për bashkëpunim dhe korrektësi. Dua t’i falënderoj sinqerisht edhe sindikatat e punëtorëve dhe ish-punëtorëve të Trepçës për bashkëpunim dhe mirëkuptimin që kanë pasur ndaj nesh.

I falënderoj miqësisht gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë, për angazhimin e tyre në zgjidhjen e problemeve të Trepçës.

Falënderoj pushtetin vendor për bashkëpunimin e tyre të ngushtë me Trepçën.

Falënderoj gjithë donatorët, të vendit dhe të jashtëm, që kontribuuan në zbutjen e problemeve të ndërmarrjes.

Një falënderim të veçantë e shpreh për mediet, të cilët kanë pasqyruar përgjithësisht në  mënyrë korrekte punën tonë, por edhe problemet dhe vështirësitë që kemi pasur.

Në fund, unë jam thellë i bindur se ndërmarrja Trepça, ka potencial të madh zhvillimi dhe të ardhme të fuqishme ekonomike. Prandaj, unë i uroj punonjësit e Trepçës, për suksese të reja në ecjen e pandalshme drejt ristrukturimit të mirëfilltë të saj.

Me fat!

Mr.sc. Ferat Shala, Mitrovicë, 13 korrik 2012

Deklaratë për media
Postime të ngjajshme
Fillimi