Ambasadori çek viziton Trepçën
Ambasadori çek viziton Trepçën
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2012-11-20 15:12:45

Ambasadori i Republikës së Çekisë z. Jiri Dolezel, së bashku me sekretarin e ambasadës z. Vaclav Kuzhelka, kanë vizituar sot ndërmarrjen Trepça. Ata u pritën nga drejtues të kësaj ndërmarrjeje, në krye me z. Halil Qela, ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës.

Z. Qela, u foli shkurtimisht mysafirëve çek, për të kaluarën, gjendjen e tanishme, për potencialet dhe perspektivën e minierave të Trepçës. Ai po ashtu, falënderoi ambasadorin për ndihmën që ka dhënë shteti i tij, për trajnimin e ekspertëve të Trepçës në fushën e mjedisit, në Republikën e Çekisë.

Ndërkaq, Beqir Maliqi, drejtor i minierës së Stantërgut me flotacion në Tunelin e Parë, u paraqiti vizitorëve gjendjen e minierës nëpër periudha të ndryshme historike dhe zhvillimin e saj deri më sot.

Nga ana e tij, ambasadori Dolezel, tha se ka ardhur këtu për tu njohur me potencialin ekonomik që ka Trepça, mundësitë që ofron kjo ndërmarrje, për ndonjë mundësi bashkëpunimi në fushën e biznesit me kompanitë e huaja.

Më pas, mysafirët çek, të shoqëruar nga stafi drejtues i Trepçës, vizituan galeritë e minierës së Stantërgut, për t’u njohur për së afërmi me punët që bëhen aty. Në fund, zyrtarët çek, vizituan edhe Muzeun Shtetëror të Kristaleve-Trepça.

Ambasadori çek viziton Trepçën
Postime të ngjajshme
Fillimi