Japonezët trajnojnë ekspertët e Trepçës
Japonezët trajnojnë ekspertët e Trepçës
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2013-01-28 09:34:47

Këto ditë, në Japoni po qëndron një grup i ekspertëve të Trepçës, për të ndjekur një kurs   trajnimi, në krye me u.d. së menaxherit të kësaj ndërmarrje, Halil Qela.
Temë  e këtij trajnimi  ishte: Menaxhimi i proceseve mjedisore ne sektorin minerar, që  është sponsorizuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Ekspertët e ndërmarrjes Trepça, kanë ndjekur leksione nga ekspertë  të shquar të Korporatës kombëtare japoneze të naftës, gazit dhe metaleve (JOGMEC), pastaj nga ata të Institutit ndërkombëtar  për teknologji dhe miniera( Minetec), të kompanive të fuqishme japoneze, si: Dowa-Groups, Akita Zinc, Taho Zinc dhe nga profesor të Universitetit Iwate.
Përveç leksioneve, grupi nga Trepça, ka vizituar edhe shumë objekte industriale: fabrika për riciklimin e metaleve, impiante për trajtimin e ujërave të ndotura industriale dhe rafineritë më të mëdha të zinkut në Japoni.
Udhëheqësi i grupit të Trepçës që kanë ndjekur këtë trajnim, menaxheri i tanishëm i kësaj ndërmarrje, z. Halil Qela,  ka vlerësuar  shumë të rëndësishëm këtë kurs trajnimi. Ai thotë se këtu kemi parë të arriturat kulmore të shkencës botërore dhe japoneze, të zbatuara në industrinë gjigante të këtij vendi dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Po ashtu, z. Qela mendon se ky trajnim do t’iu shërbej shumë eksperteve të Trepçës për t’iu qasur  problemeve të ringjalljes së industrisë përpunuese të kësaj ndërmarrje dhe sfidave të shumta mjedisore.
Ndërkaq, z. Keiko Sato, koordinator i kursit trajnues të JICA-s, në ceremoninë  përmbyllëse të këtij kursi, ka vlerësuar lartë interesimin dhe përkushtimin e ekspertëve kosovarë gjatë qëndrimit të tyre ne Japoni. 
Ekspertët e Trepçës i ka vizituar ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, z. Ahmet Shala, i cili i ka inkurajuar ata, për t’i zbatuar përvojat e fituara këtu, në sektorin e industrisë minerare në Kosovë.
Ky  është grupi i tretë nga ndërmarrja Trepça, që brenda një harku kohor prej një viti, ndjek kurse trajnimi të sponsorizuara nga JICA dhe qeveria japoneze.
Në fund, të gjithë kandidatëve u janë ndarë certifikata nga instituti Minitec dhe JICA.

Japonezët trajnojnë ekspertët e Trepçës
Postime të ngjajshme
Fillimi