Ministrja Kusari-Lila, viziton Trepçën
Ministrja Kusari-Lila, viziton Trepçën
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2013-03-28 13:04:57

Pas një vizite që ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila i bëri qytetit të Mitrovicës, ajo është ndalur edhe në ndërmarrjen Trepça. Përveç ekipit të ministres, në përbërje të delegacionit që vizitoi Trepçën, ishte edhe kryetari i Mitrovicës z. Avni Kastrati.  Ata janë pritur nga Halil Qela, u.d. i menaxherit të Trepçës me bashkëpunëtorët e tij.

Ministrja Lila, u interesua për mbarëvajtjen e punëve në këtë ndërmarrje, për problemet me të cilat ballafaqohet ky gjigant ekonomik, por edhe për mundësitë për rimëkëmbjen e shpejtë të tij.
Ndërkaq, z. Qela e informoi ministren për gjendjen në të cilën ndodhet Trepça, për përpjekjet që po bënë menaxhmenti, por edhe gjithë punonjësit e ndërmarrjes, për arritjen e rezultateve sa më të mira, për të krijuar kushte sa më të favorshme për një ristrukturim të mirëfilltë të kësaj ndërmarrjeje. Ai kërkoi nga ministrja, që institucionet vendimmarrëse të Republikës së Kosovës, të fokusohen  më tepër, në zgjidhjen e problemeve të shumta që e rëndojnë këtë ndërmarrje.

Nga ana e saj znj. Lila, u zotua se do të përdorë gjithë ndikimin e saj te institucionet e shtetit, për përshpejtimin e punëve që lidhen me ristrukturimin e Trepçës.
Duke u inkuadruar në diskutim, kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, hodhi idenë që ndërmarrja Trepça të jetë përfituese e Fondit që do të formohet për veriun e Kosovës, për ta ndihmuar këtë ndërmarrje në projektet e saj zhvillimore.

Ministrja Kusari-Lila, viziton Trepçën
Postime të ngjajshme
Fillimi