Nis Java e Minatorëve
Nis Java e Minatorëve
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2014-02-20 18:40:51

Sot në  Stantërg, me një manifestim solemn, filloi manifestimi tradicional  Java e Minatorëve, për të shënuar njëzetepesë vjetorin e grevës së lavdishme të minatorëve të Trepçës së vitit 1989. Përveç punonjësve të shumtë të ndërmarrjes Trepça, në këtë tubim morën pjesë edhe organizatorët e atëhershëm të kësaj greve: Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Mensur Fejza etj. dhe përfaqësues të institucioneve komunale e shtetërore.

Fillimisht, pjesëmarrësve iu drejtua menaxheri i sapo zgjedhur i Trepçës, Ahmet Tmava, duke shpallur të hapur Javën e Minatorëve. Pasi foli për rëndësinë historike të kësaj greve, menaxheri Tmava tha: “është obligim i kohës që Trepça të reflektojë fuqinë e sajë ekonomike reale”.

“Vlerësojmë që jemi në një moment të një kthese së madhe, vazhdoi më tej ai,  që ky synim të bëhet realitet”.

Më pas, menaxheri i Trepçës iu bëri ftesë “tërë potencialit intelektual, profesionalë, siç u shpreh ai, se tradita na obligon ta ruajmë dhe zhvillojmë Trepçën, për krijimin e vizionit zhvillimor.

Profesor Tmava, iu bëri thirrje institucioneve qendrore: Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, që sa më parë të aprovohet infrastruktura ligjore, që t’ia japë Trepçës mundësinë për zhvillim. Në fund, ai u zotua, se “Trepça do të zhvillohet me një dinamikë të kënaqshme duke pasur parasysh shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e minatorëve”.

Ndërkaq, menaxheri i minierës Trepça në Stantërg, Beqir Maliqi, në vazhdim të këtij manifestimi, foli për të arriturat e kësaj miniere në këto vitet e fundit. Fjalën e mori edhe Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së Pavarur të minatorëve të Trepçës, i cili përmendi vështirësitë me të cilat përballen minatorët e kësaj ndërmarrjeje.

Në emër të “Grupit të Katërmbëdhjetëve”, grupit që u pat dënuar atëkohë, si organizator të kësaj greve, foli Burhan Kavaja, i cili evokoi kujtime të ditëve sa kishte zgjatur greva.

Veprimtaritë e Javës së Minatorëve, do të vazhdojnë deri më 28 shkurt, ku do të përmbyllët me një tubim në shtëpinë e kulturës Rexhep Mitrovica, në Mitrovicë. 

Nis Java e Minatorëve
Postime të ngjajshme
Fillimi