Përfundon Java e Minatorëve
Përfundon Java e Minatorëve
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2014-03-02 21:15:40

Me një manifestim solemn në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë, përmbyllen manifestimet e Javës së Minatorëve. Minatorë dhe punonjës të ndërmarrjes Trepça, por edhe mysafirë të shumtë, u tubuan me këtë rast në Mitrovicë.
Menaxheri i Trepçës, profesor Ahmet Tmava, pasi përshëndeti pjesëmarrësit e këtij tubimi, foli për rëndësinë historike të grevës së minatorëve të Trepçës që ngjau 25 vjet më parë. Në vazhdim ai tha: “Vendi ynë është i pasur me resurse të shumta minerale, që paraqesin një bazë të mirë të zhvillimit të industrisë së Republikës së Kosovës. Sidomos, kemi shumë rezerva të xeherorëve të metaleve të ngjyrosura. Të gjitha këto pasuri kombëtare, kanë një emër të përbashkët: Trepçë dhe paraqesin asetin më të rëndësishëm nacional”. Menaxheri Tmava foli edhe për objektivat e ndërmarrjes që drejton ai. “Synimi ynë është të tregojmë fuqinë reale ekonomike të Trepçës, të bëjmë eksploatimin e xehes, të prodhojmë koncentrat dhe të rrisim shkallen e finalizimit të komponentëve të dobishme, përkatësisht metalet”, theksoi mes tjerash dhe vazhdoi, “kemi resurset minerale dhe kapacitete humane të mjaftueshme, prandaj jemi të vendosur që Trepçës t’ia kthejmë lavdinë ekonomike”. Në fund, ai shfaqi besimin, se “minatorët që vite më parë ishin të gatshëm të flijoheshin për çlirimin e vendit, sot ata dhe bijtë e tyre, janë të gatshëm të bëjnë sakrifica për zhvillimin dhe përparimin e shtetit tonë”.
Ndërkaq, Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, foli për pozitën “e vështirë” siç e cilësoi ai, të punëtorëve të larguar nga Trepça në mënyrë të dhunshme në vitin 1990, e që nuk kanë mundur ende të kthehen në punë. Ai po ashtu kërkoi nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, që të caktohet një datë e muajit shkurt, si dita e minatorëve dhe të hyj në kalendarin e festave shtetërore.
Burhan Kavaja, ish-drejtor i minierës Trepça në Stantërg, pasi evokoi kujtime nga periudha e grevës së minatorëve, theksoi nevojën e domosdoshme që Trepça t’i ndërtoj kapacitet e metalurgjive dhe ato përpunuese të metaleve.
Manifestim përmbyllës Java e Minatorëve e përshëndeti edhe një mysafir special i ardhur nga Britania e Madhe, z. Dave Temple, i cili përfaqëson Sindikatën e minatorëve të Dyremit. Z. Temmple, mes tjerash tha:
„Në këtë ditë, më 28 shkurt 1989, ju zgjodhët të luftoni për lirinë tuaj, në vend se të përkuleni  para Millosheviqit dhe regjimit të tij diktatorial e racist.
Ishte një nga ato momentet e rralla kur një popull fuqishëm e kundërshton shtypjen dhe robërinë dhe bashkohet në rrugën e lirisë dhe pavarsisë. Por ju keni vuajtur shumë në këtë rrugëtim dhe ajo që filloi si një luftë për ruajtjen e autonomisë në kuadër të Jugosllavisë, do të shndërohej përfundimisht në  një luftë për pavarësi. Luftëtarët e rinj nga mbarrë Kosova, dolën në male për të mbrojtur atdheun dhe nderin e familjeve tyre dhe shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet dhe nuk duhet të harrohet kurrë“
Në fund, u shfaq një dokumentar për Trepçën, me një perfomancë të nxënësve të shkollës fillore “ Eqrem Çabej” të Mitrovicës.

Përfundon Java e Minatorëve
Postime të ngjajshme
Fillimi