Thaçi: Ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar
Thaçi: Ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2014-03-12 20:12:31

Minatorët e Trepçës i kanë rezistuar fuqishëm dhe në mënyrë unike politikës që ‘Trepça të punojë dhe Beogradi të ndërtohet’. Tani është koha që pas lirisë dhe ndërtimit të shtetit, të gjithë të punojmë, të zhvillojmë Trepçën, dhe në të njëjtën kohë Trepça të prodhojë, ndërsa Kosova të ndërtohet. Politika dhe ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar njëherë e përgjithmonë me largimin e tyre nga këtu, dhe s’do të kthehen më kurrë. Këto komente i bëri kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën nga horizonti i dhjetë i minierës së Stantërgut në Mitrovicë.

Ai i ka quajtur minatorët heronj të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa premtoi mbështetje të plotë të punës që po bëhet.

Sipas tij, Trepça është ndër resurset më të fuqishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ai u shpreh i bindur se Kuvendi shpejt do të aprovojë projektligjin dhe pastaj do të ketë edhe më tepër prodhim, zhvillim, krijim të vendeve të reja të punës dhe natyrisht rritje të pagave për minatorët.

Ai tha se Trepça është ndër gjigantët më të fuqishëm në Kosovë, Ballkan dhe Evropë, duke premtuar për pensionistët e Trepçës, rritje tjetër prej 50 për qind të pensioneve të tyre deri në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa për punëtorët premtoi rritje gjatë këtij viti.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka falënderuar Qeverinë për përkrahjen e vazhdueshme në shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje shoqërore.

Në anën tjetër, Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, potencoi se ky gjigant do të bëhet pjesë e zhvillimit të fuqishëm të vendit.

Ai ka premtuar përgjegjësi për siguri dhe mirëqenie të të gjithë minatorëve.

Sipas tij, Trepça me profesionalizmin dhe fuqinë ekonomike që posedon, do të shkëlqejë në aspektin e pritjeve të shumta të qytetarëve.

Thaçi: Ëndrrat e Serbisë për Trepçën janë shuar
Postime të ngjajshme
Fillimi