Udhëheqës të lartë qeveritar vizitojnë Trepçën
Udhëheqës të lartë qeveritar vizitojnë Trepçën
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2014-04-15 15:27:10

Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili dhe atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, vizituan ndërmarrjen Trepça. Ata vizituan fabrikën e pasurimit të xeherorëve të plumb-zinkut në Tunel të Parë, ku u pritën nga menaxheri i përgjithshëm i kësaj ndërmarrjeje z. Ahmet Tmava dhe ekipi i tij menaxhues. Menaxheri Tmava i informoi udhëheqësit e lartë shtetëror për gjendjen në të cilën ndodhet Trepça dhe perspektivën që hap miratimi i ligjit për këtë ndërmarrje, i cili gjendet në procedurat parlamentare.

Ai po ashtu, u foli mysafirëve edhe për projektet zhvillimore që po përgatisin së bashku me ekspertët e kësaj ndërmarrjeje, siç është ai i aktivizimit të fabrikës së oksidit të zinkut. “ Po bëjmë përpjekje”, theksoi në vazhdim drejtori i Trepçës, “që sa më parë të heqim dorë nga shitja e koncentrateve, që të fillojmë përpunimin e tyre deri në prodhim final”. Po ashtu, ai vlerësoi se ndihma e qeverisë edhe më tej është e nevojshme për ndërmarrjen, për modernizimin e minierave, fabrikave të pasurimit të xeherorëve dhe industrisë përpunuese, në mënyrë që Trepça t’i kthejë shpejt këto investime përmes afarizmit pozitiv.

Ndërkaq, z. Pacolli, tha se “Trepça nuk duhet as të privatizohet, e as të jepet me koncesion, sepse ajo u takon punëtorëve të saj, qytetarëve të këtij vendi dhe gjeneratave që do të vijnë”. Më tej, ai u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do ta mbështes Trepçën, në projektet që përshpejtojnë ristrukturimin e saj. Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, foli për modalitetet që mund të zbatohen për Trepçën pasi të bëhet kompani publike.

Për aspektet mjedisore, foli ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. Ai shtroi nevojën e ngutshme për hartimin e projekteve për menaxhimin e mbetjeve industriale, që për dekada të tëra ka depozituar kjo ndërmarrje dhe janë ndotëse potenciale të mjedisit.

Në fund, zyrtarët e lartë qeveritar, vizituan repartet e fabrikës së pasurimit të xeherorëve ku prodhohet koncentrati i plumbit dhe zinkut.           

Udhëheqës të lartë qeveritar vizitojnë Trepçën
Postime të ngjajshme
Fillimi