Përfundon Java e Minatorëve
Përfundon Java e Minatorëve
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2015-02-28 12:04:55

Manifestimi tradicional ‘Java e Minatorëve’, i organizuar në përkujtim të 26 vjetorit, të grevës së lavdishme të minatorëve të ‘Trepçës’ dhe tërë Kosovës, të 20-28 shkurtit të vitit 1989, ka përfunduar të shtunën me një ceremoni të mbajtur, në Qendrën e Kulturës, ‘Rexhep Mitrovica’, në Mitrovicë.

Në këtë tubim janë dhënë mesazhe shumë të qarta se, ‘Trepça’ është e Kosovës, minierat janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, është i domosdoshëm dhe emergjent sqarimi i statusit të Trepçës, tregon fakti se që nga 24 janari i këtij viti miniera nuk ka licencë për punë, duke sjellë probleme serioze financiare për “Trepçën”.
Prof Dr Ahmet Tmava, menaxher i ‘Trepçës’, fillimisht ka përshëndetur të pranishmit në këtë manifestim si : Kryeministrin e Kosovës, akademik Isa Mustafa, Kryetra e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, AKP-së, KPMM-së, Policisë, FSK-së, Universiteti të Mitrovicës, Grupin e 14-ve, ishin minatorët, minatorët, familjet e dëshmorëve, veteranet e luftës së UÇK-së si dhe të gjithë të pranishmit. 
Prof Dr Ahmet Tmava, menaxher i ‘Trepçës’, duke iu drejtuar të pranishmëve ka folur për rëndësinë historike të grevës së minatorëve të ‘Trepçës’ që ngjau para 26 viteve.

“Çdo përvjetor tjetër, edhe ky i 26-të me radhë, është inspirim për të gjithë, që të mbahet gjallë fryma e epopesë së lavdishme të grevës së 20-28 shkurtit të minatorëve të “Trepçës”, ka thënë Tmava.
Sipas tij kjo javë shënon historinë e ndritshme, dhe fillimin e fuqishëm për çlirim e vendit nga okupuesi, për një jetë me dinjitet.

“Vendosmëria e minatorëve për sendërtimin e idealeve kombëtare deri në flijim, ishte mobilizimi më i mirë gjithë popullor që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të jesh trashëgimtar i kësaj lavdie, për ne është përgjegjësi shumë e madhe, por edhe krenari”, ka thënë menaxheri i ‘Trepçës’, Tmava.

Ai theksoi se sa është i domosdoshëm dhe emergjent sqarimi i statusit të ‘Trepçës’, tregon fakti se që nga 24 janari i këtij viti miniera nuk ka licencë për punë, që me gjasë, do të zgjasë edhe një kohë duke sjell probleme serioze financiare për ‘Trepçën’.

“I nderuari Kryeministër, ju para ca kohësh keni vizituar minierën e “Trepçës’, dhe kemi parë nga afër kushtet në të cilat punojnë minatorët dhe mundësit për shtim të prodhimit, zotimi i juaj se me prioritet do të trajtoni çështjen e statusit të “Trepçës”, neve na bënë të besojmë se së shpejti Ligji për ‘Trepçën’, do të aprovohet në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe vizioni zhvillimor do të bëhet realitet” ka thënë menaxheri i “Trepçës”, prof. Dr Ahmet Tmava.

Kemi pasuar debate, punëtori të shumta në Komisionet Parlamentare, shoqërinë civile, institucione shkencore dhe për neve është inkurajuese gatishmëria për ndihmë dhe kontribut. Me shpresë se statusi i ndërmarrjes do të sqarohet shpejt ne zotohemi se do të marrim të gjitha përgjegjësit që na takojnë ka thënë në fund të fjalimit të tij, Ahmet Tmava, menaxher i ‘Trepçës”.

Në anën tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, akademik Isa Mustafa, duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë manifestim të minatorëve të ‘Trepçës’, tha se puna dhe historia që kanë shkruar minatorët, është e rëndësisë së veçantë nacionale.

“Ju keni shkruar një histori të veçantë për Kosovën, keni dhënë kontributin më të madh në kohën më të rëndësishme,  keni shfaq rezistencën e juaj për Kosovën e pavarur, sepse duke ruajtur ‘Trepçën’, ju keni mbrojtur Kosovën”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

Kryeministri, ka  premtuar zgjidhjen e statusit të Trepçës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bashkëpunuar ngushtë me vetë minatorët, por edhe Kuvendin, në mënyrë që ‘Trepça’, të mbetet  gjigant i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në lidhje me pronësinë e Trepçës, ai ka potencuar se kjo çështje nuk do të negociohet me askënd.
“’Trepça’, është e Kosovës, minierat janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, ndërsa ne me askënd nuk do të ulemi në tavolinë të bisedojmë për ‘Trepçën’. Për ‘Trepçën’, do të bisedojmë vetëm me ju, minatorë të Trepçës”, theksoi i pari i ekzekutivit të vendit akademik Isa Mustafa.

Ndërsa, Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të ‘Trepçës’, ka përshkruar në hollësi grevën e lavdishme të 20-28 shkurtit të vitit 1898, duke kërkuar që statusi i ‘Trepçës’, të zgjidhet shpejt dhe me  Ligj të veçanet.

“Asnjë qeveri deri tash nuk ka qenë e gatshme të ballafaqohet me problemin e Trepçës dhe së paku ta nxjerr një Ligj të pensionimit apo invalidor, me të cilat kishin me u zgjidhë problemet e atyre punëtorëve të cilët nuk janë më në mesin tonë dhe nuk kanë mundur të kthehen në punë”, ka thënë Behrami.
“Minatorët, kohëve të fundit kanë marr shumë premtime se do të punohet seriozisht në miratimin e Ligjit për ‘Trepçën’, nga ana e institucioneve të Kosovës, kjo na ka dhënë një shpresë për punë dhe do t’iu mbajë për fjale” ka thënë në fund të këtij takimi përmbyllës, Nezir Behrami, Kryetra i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të ‘Trepçës’.

Gjatë këtij manifestimi nga ana e Sindikatës dhe menaxhmentit të ‘Trepçës’,  është dhënë një dokumentar për ‘Trepçën’, për rëndësinë historike të grevës së shkurtit 1989, të minatorëve të ‘Trepçës’, që ndodhi 26 vjet më parë.

Përfundon Java e Minatorëve
Postime të ngjajshme
Fillimi