Tmava, problemi Trepçës është statusi i pa zgjidhur
Tmava, problemi Trepçës është statusi i pa zgjidhur
Postuar nga: Trepça Data e publikimit :2015-02-03 09:45:44

Organizuar nga Kolegji Evropian “Juridica” dhe “Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është mbajtur të martën në Prishtinë tryeza e rrumbullakët me temë “Trepça- sfidë ekonomike dhe juridike”. Panelistët dhe pjesëmarrësit tjerë që ishin të pranishëm në tryezë trajtuan dhe analizuan të ardhmen e këtij gjiganti kosovar.

Drejtori i kompleksit “Trepça”, prof.dr. Ahmet Tmava, tha se problemi kryesor është statusi i “Trepçës” që duhet të garantoj planin zhvillimor. Sipas tij, e ardhmja e “Trepçës”  duhet të bazohet shumë edhe në Strategjinë minerare të Kosovës, ku si parim bazë do të duhet të jetë zhvillimi i qëndrueshëm.

Ai theksoi se sipas hulumtimeve del se “Trepça” është profitabie, prandaj ky gjigant duhet të hyj në projekte zhvillimore.

Profesori i të drejtës pronësore dhe eksperti ligjor, prof.dr. Haxhi Gashi, u fokusua në aspektin juridik që ndërlidhet me “Trepçën”. Ai tha se është krijuar një konfuzion i panevojshëm që ka të bëj me pronësinë e “Trepçës”. “Me Kushtetutë dhe me ligjet tjera është e përcaktuar qartë se të gjitha pasuritë minerare në Kosovë janë pronë e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë ligjore për shpalljen e “Trepçës” si ndërmarrje publike, por ka shumë sfida. Në këtë kontekst, ai përmendi borxhet e kreditorëve të pretenduar që do t’i merrte përsipër shteti.

Profesori universitar, prof.dr. Ferat Shala, ish-drejtor i “Trepçës”, foli për alternativat për rimëkëmbjen ekonomike të saj, ndërsa profesori Naser Peci, u fokusua  në rëndësinë e “Trepçës” për Mitrovicën dhe për Kosovën. Gjithashtu panelisti tjetër, prof.dr. Muhamet Sadiku, foli për rëndësinë ekonomike të “Trepçës”.

Tryeza u vlerësua shumë e frytshme dhe u vendos që një ekip të nxjerr konkluzat, të cilat do të t’u drejtohen instancave relevante.

Tmava, problemi Trepçës është statusi i pa zgjidhur
Postime të ngjajshme
Fillimi