Koncesionet, pronësia dhe të dhënat juridike

Miniera “Trepça” në Stantërg ishte njëra nga organizatat punuese në kuadër të Kombinatit xehetaro – metalurgjik :Trepça” me seli në Mitrovicë.

Në Kombinat, me një marrëveshje të nënshkruar, ishin të bashkuara 27 Organizata punuese, të cilat e kishin subjektivitetin e tyre juridik, kurse në nivelin e kombinatit në bazë të kësaj marrëveshje ishin bartë funksionet e përbashkëta (Komerciala – furnizimi dhe shitja, Instituti i plumbit dhe zinkut, mbrojtja fizike e objekteve, ushqimi shoqëror, Trepça banka dhe administrata qëndrore).

Miniera e ”Trepça” në Stantërg ishte Organizata punuese më e madhe në kombinat, si nga aspekti i prodhimit ashtu edhe nga aspekti i ndikimit financiar.

Si organizatë punuese, miniera i kryente obligimet  ndaj furnitorëve të vetë, obligimet e pagesës së taksave dhe siguracioneve për pasuri, njerëz dhe pensione të punëtorëve në bazë të ligjeve që ishin në fuqi.

Miniera ishte e regjistruar si ndërmarrje shoqërore. Në vitin 1990, miniera regjistrohet si shoqëri aksionare në bazë të ligjit në fuqi, por për shkaqe politike, ky regjistrim nuk është validizuar.

Në vitin 1990, miniera mbyllet përkohësisht, punëtorët shqiptarë largohen nga puna dhe pushteti aktual vendosë masat e administrimit shtetëror.

Në momentin e vendosjes së administrimit shtetëror, shteti nuk e ka bërë regjistrimin e pasurive, as regjistrimet e kërkesave dhe obligimeve financiare. Afarizmi i minierës, në periudhën 1990 – qershor/1999, nuk është i njohur, sepse është realizuar nën veprimin e masave administrative të menaxhuara pa ndërmjetësim nga ana e qeverisë së Serbisë.