Ferat Shala - Drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes TREPÇA
U lindë më 10.06.1964 në Vuqak të Drenasit. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen në Drenas, drejtimi biologji. Në vitin1991 ka mbaruar studimet në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë në degën e Gjeologjisë. Në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë - drejtimi Komunikacioni Rrugor ka magjistruar me temën: "Modelimi i Fisibilitetit dhe Ndikimi në Ambient të një Korridori Rrugor (Korridori Rrugor Durrës - Morinë)". Në Universitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Gjeodezisë dhe Gjeoinformatikës, vazhdon studimet për doktoraturë. Në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, periodikisht publikon punime shkencore-profesionale.
Për shkak të veprimtarisë politike - kombëtare, në vitin 1991 është burgosur nga regjimi serb.
Është njëri nga protagonistët e formimit dhe konsolidimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është bashkëpunëtor profesional-shkencor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës. Ligjëron lëndën "Rrugët dhe Objektet e Komunikacionit" në drejtimin e Komunikacionit. Po ashtu, bashkëpunëtor i jashtëm shkencor është edhe në Kolegjin Universitar Tempulli në Prishtinë, ku ligjëron lëndët: "Menaxhment dhe Marketing" dhe "Infrastruktura Rrugore".
Aktualisht është drejtor menaxhues i Trepça - Ndërmarrje në Administrim të AKP-së. Jeton në Prishtinë. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.
